Prizreni përuron shtatoren dhe sheshin “Nënë Tereza” në kuadër të 28 Nëntorit

Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, Prizreni ka shënuar një moment të veçantë nderimi ndaj humanistes shqiptare me famë botërore, Shën Nënë Terezës. Në kuadër të këtij shënimi, u përuruan zyrtarisht shtatorja dhe sheshi që mban emrin e saj, pranë Katedrales historike “Zonja Ndihmëtare”.

Përmes këtij gjesti, qyteti i Prizrenit nderon figurën e jashtëzakonshme dhe trashëgiminë e pasur shpirtërore të Shën Nënë Terezës, e cila ia kushtoi gjithë jetën e saj shërbimit ndaj më të varfërve dhe njerëzve në nevojë anembanë botës.

Ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 për veprimtarinë e saj humanitare, ndërsa në vitin 2016, Papa Françesku e shpalli shenjtore.