**AUV Ndalon Prodhimin e “Pleskavicë Buquku” Për Shkak të Bakterit E. coli**
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të prodhimit të produktit “Pleskavicë Buquku 0.5 kg”, të kompanisë “Buquku SH.P.K.” në Pejë. Ky vendim vjen pasi analizat laboratorike zbuluan nivele të papranueshme të bakterit Escherichia coli (E. coli).
Sipas njoftimit të AUV-së, gjatë kontrolleve zyrtare u konstatua se produkti nuk i përmbush kriteret mikrobiologjike të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për sigurinë ushqimore.
Produktet e prekura mbajnë numrin aprovues RKS-144 dhe datojnë prodhimin më 12 nëntor 2026.
Raporti laboratorik Nr. 5640/2026 tregon se mostrat e analizuara kishin nivele të E. coli-t mbi pragun referues të caktuar për higjienën e procesit të prodhimit.
Pas këtyre rezultateve, inspektorët e AUV-së kanë urdhëruar menjëherë ndalimin e prodhimit dhe tërheqjen e sasive të mbetura të produktit nga tregu.
Kompania “Buquku SH.P.K.” është detyruar të identifikojë burimin e kontaminimit, të dokumentojë gjurmueshmërinë e produktit dhe të ndërmarrë masa korrigjuese. Këto masa përfshijnë përmirësimin e higjienës së prodhimit, kontrollin e lëndës së parë dhe funksionimin efikas të sistemit të vetëkontrollit HACCP.
Prodhimi nuk do të lejohet të rifillojë pa u eliminuar plotësisht mangësitë e konstatuara, pa u konfirmuar përmes analizave laboratorike përmbushja e kritereve mikrobiologjike dhe pa u rivlerësuar kushtet e prodhimit nga AUV-ja.
