Ushqimet e pasura me flavonoide, si çaji dhe manaferrat, mund të luajnë një rol kyç në ngadalësimin e procesit të plakjes dhe në ruajtjen e shëndetit, sipas një studimi të ri. Ky hulumtim, i publikuar në revistën prestigjioze ‘The American Journal of Clinical Nutrition’, thekson se konsumimi i rregullt i ushqimeve të pasura me flavonoide – si çaji i zi, manaferrat, frutat agrume dhe mollët – mund të ulë ndjeshëm rrezikun e aspekteve specifike të plakjes së pashëndetshme. Këtu përfshihen funksionet fizike të dëmtuara dhe përkeqësimi i shëndetit mendor.
Studiuesit shpjegojnë se ky zbulim përforcon gjetjet e studimeve të mëparshme, të cilat kanë demonstruar një lidhje të fortë mes konsumit të lartë të flavonoideve – përbërës antioksidantë që gjenden me shumicë në ushqimet me bazë bimore – dhe një rreziku të reduktuar të sëmundjeve kronike. Këto përfshijnë sëmundjet e zemrës, diabetin e tipit 2 dhe demencën.
