Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që hetimi mbi profilet e rreme, të cilat mbjellin urrejtje dhe nxisin armiqësi mes qytetarëve, të shkojë deri në fund. Ajo theksoi se pas zbulimit të një profili të rremë që ka shpërndarë gjuhë urrejtjeje dhe shpifje, organet e rendit duhet të veprojnë edhe për raste të tjera të ngjashme.
“Prokuroria duhet të veprojë pa asnjë hezitim. Jo vetëm për rastin e ‘Lule Gjelit’, por për çdo profil të rremë dhe çdo rrjet të organizuar që ka prodhuar shpifje, kërcënime, gjuhë urrejtjeje dhe manipulim të opinionit publik,” deklaroi Çitaku.
Ajo theksoi se pjesa më e dhimbshme është se “ky fenomen nuk duket të ketë qenë thjesht veprim i individëve të izoluar”. Sipas saj, “dyshimet se rrjete të tilla janë toleruar, inkurajuar apo përdorur për përfitime politike janë jashtëzakonisht serioze dhe kërkojnë zbardhje të plotë”.
Çitaku vuri në dukje se tashmë është zbuluar një nga mijëra profilet e rreme, të cilat për vite me radhë kanë mbjellë urrejtje, kanë shpifur, kanë përçarë dhe kanë nxitur armiqësi mes qytetarëve. Ajo shpjegoi se lufta hibride në botën virtuale ka lënë dhe vazhdon të lërë pasoja të mëdha, jo vetëm politike, por edhe shoqërore, duke përmbysur vlera, rrënuar reputacione, sulmuar individë dhe minuar besimin në institucione.
Duke përmendur ndikimin e Cambridge Analytica në debatin rreth Brexit-it, Çitaku theksoi se nëse demokracitë me traditë shumë më të gjatë janë përballur me pasoja serioze nga manipulimi digjital, një shtet i ri si Kosova është edhe më i cenueshëm.
Ajo përsëriti se hetimi nuk duhet të ndalet vetëm te administratorët e profileve, por duhet të shkojë deri në fund për të zbuluar kush i ka organizuar, koordinuar, financuar apo urdhëruar këto veprime.
Në fund të deklaratës së saj, Çitaku nënvizoi se demokracia nuk mbrohet vetëm në kutinë e votimit, por edhe duke mos lejuar që gënjeshtra, anonimati dhe propaganda e organizuar të zëvendësojnë të vërtetën dhe debatin e lirë.
