**Komandanti i KFOR-it: SHBA, kontribuues kyç për stabilitetin e Kosovës dhe rajonit**

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kontribuuesi kryesor në misionin e KFOR-it në Kosovë, duke garantuar stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës dhe të gjithë rajonit. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një interviste ekskluzive në emisionin “Info Magazine” të Klan Kosovës.

I pyetur lidhur me ndikimin e procesit të optimizimit në praninë amerikane brenda KFOR-it, Ulutash u shpreh i qartë: “SHBA mbetet një kontribuues kyç në KFOR dhe është plotësisht e përkushtuar të vazhdojë kontributin e saj për siguri të qëndrueshme në të gjithë territorin e Kosovës dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Unë dhe i gjithë personeli i KFOR-it nën komandën time jemi plotësisht të përkushtuar ndaj misionit tonë.”

Ulutash foli gjithashtu për bashkëpunimin e ardhshëm të misionit të tij me Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), pas përfundimit të procesit të optimizimit.

“Së pari, KFOR-i ka tashmë një koordinim të thellë, të ngushtë dhe efektiv me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, si institucione përgjegjëse të parë për sigurinë,” shpjegoi Komandanti. “Ky bashkëpunim është thelbësor për të siguruar dhe garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës.”

Lidhur me FSK-në, ai theksoi se mbështetja e KFOR-it mbetet e fokusuar në mandatin origjinal të forcës, atë të mbrojtjes civile. Kjo realizohet kryesisht përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), një strukturë e veçantë e NATO-s e vendosur në selinë e KFOR-it në Kampin Film City.

Komandanti theksoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë pa ndërprerje. “Së fundmi, bashkë me EULEX-in, kemi zhvilluar një stërvitje të përbashkët të quajtur ‘Golden Sabre 2026’,” tha Ulutash. “Kjo stërvitje na mundësoi të testonim kapacitetet, aftësitë dhe procedurat tona për menaxhimin e krizave në skenarë të ndryshëm sigurie, duke përfshirë trajtimin dhe asgjësimin e sigurt të mjeteve shpërthyese.”