Bllokada politike në Kosovë ka sjellë një situatë ku dhjetëra institucione shtetërore udhëhiqen nga ushtrues detyre, duke rrezikuar funksionimin normal të shtetit dhe të institucioneve të pavarura, sipas ekspertëve kushtetues.
Për një kohë të gjatë, Kosova ka funksionuar me ushtrues detyre në pozita kyçe. Kështu, Albulena Haxhiu ka mbajtur pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit dhe asaj të kryetares së Kuvendit, pas shpërndarjes së tij. Edhe kryeministri Albin Kurti vazhdonte të ushtronte detyrën në cilësinë e kryeministrit në detyrë, në pritje të formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit.
Një numër i madh institucionesh funksionojnë me udhëheqës në detyrë edhe brenda ministrive. Këtu përfshihen: Thesari, Njësia për Inteligjencë Financiare dhe Agjencia Qendrore e Prokurimit në kuadër të Ministrisë së Financave; Avokatura Shtetërore, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë; si dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Agjencia e Regjistrimit Civil në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se, përveç udhëheqjes me ushtrues detyre, shqetësuese mbetet fakti se një numër institucionesh funksionojnë me përbërje jo të plotë. Gzim Shala nga IKD thekson se mbajtja e pozitave me ushtrues detyre duhet të jetë vetëm një rast përjashtimor, për të shmangur krijimin e vakuumit. Bazuar në gjetjet e IKD-së, gjithsej 24 institucione apo agjenci të pavarura funksionojnë me përbërje jo të plotë ose me mandate që priten të skadojnë.
Edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e konsideron këtë gjendje si pasojë të drejtpërdrejtë të bllokadës politike dhe mungesës së një Kuvendi funksional. Vullnet Bugaqku nga KDI paralajmëron se vazhdimi i kësaj bllokade rrezikon moszgjedhjen e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, gjë që mund të çojë në bllokimin e punës së saj në tërësi në vitin e ardhshëm, kur skadojnë mandatet e pesë gjyqtarëve të tjerë. Po ashtu, theksohet skadimi i mandatit të Avokatit të Popullit.
Lista e këtyre 24 institucioneve dhe agjencive të pavarura, të cilat funksionojnë me përbërje jo të plotë ose me mandate të skaduara/në skadim, përfshin: Gjykatën Kushtetuese, Organin Shqyrtues të Prokurimit, Institucionin e Avokatit të Popullit, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Zyrën e Rregullatorit për Energji, Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave, bordin e KOSTT-it, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit.
