**Interesim i lartë për studime në Universitetin e Prishtinës: Mbi 1000 aplikantë më shumë se vjet, pranohen edhe studentë nga diaspora**

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shënuar një rritje të ndjeshme të interesimit për studime, me mbi 1000 aplikantë më shumë se vitin e kaluar. Nga numri total i të pranuarve, katër studentë janë nga diaspora.

Rektori i Universitetit, Arben Hajrullahu, e vlerësoi këtë si një lajm pozitiv, që dëshmon punën e madhe që po bëhet në këtë institucion.

Hajrullahu theksoi se Universiteti i Prishtinës vazhdon të jetë lider jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, mes universiteteve shqipfolëse. Ai bëri të ditur se, përveç vendeve të rezervuara, këtë vit ka pasur aplikantë edhe nga vendet fqinje, ndërsa theksoi pranimin e katër studentëve nga diaspora vetëm në afatin e parë.

Rektori shtoi se janë miratuar vendet e rezervuara për shqiptarët me prejardhje nga Kosova në Turqi, për arbëreshët e Italisë, si dhe për diasporën me origjinë nga Kosova.

Mes tjerash, Hajrullahu përmendi ripërtëritjen e stafit akademik, duke theksuar se nën drejtimin e tij janë pranuar ose janë në proces pranimi mbi 100 profesorë dhe asistentë.

Për më tepër, rektori kërkoi mbështetje reale nga institucionet relevante, duke theksuar nevojën për buxhet konkret dhe jo vetëm premtime. Ai specifikoi se kjo mbështetje është e domosdoshme për financimin e aktiviteteve të planifikuara, përfshirë ato të parashikuara në strategjinë e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës për periudhën 2026–2030/31.

Hajrullahu potencoi se, megjithëse ekziston mbështetje, zhvillimet e fundit politike kanë zhvendosur fokusin nga Universiteti i Prishtinës. Ai rikujtoi rëndësinë e partneritetit për bashkëpunim efektiv.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është themeluar në vitin 1970 dhe ka një histori 56-vjeçare.