**Shqipëria adopton sistemin e pagesave të menjëhershme, një hap drejt integrimit rajonal dhe evropian**
Shqipëria do të bashkohet me sistemin e pagesave të menjëhershme, i njohur si TARGET Instant Payment Settlement (TIPS Clone), duke nisur nga muaji nëntor. Ky zhvillim do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve shqiptare transferimin e fondeve nga një llogari në tjetrën brenda vetëm pak sekondash.
Ky lajm u bë i ditur nga presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, gjatë një deklarate.
Lagarde shprehu entuziazmin e saj për lançimin e kësaj platforme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut në nëntor. Ajo theksoi se platforma do të shfrytëzojë teknologjinë e TIPS (Sistemi i Pagesave të Shpejta i Eurosistemit). Presidentja e BQE-së shtoi se kjo platformë është vënë tashmë në zbatim për qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi, me objektivin për të përfshirë të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në këtë iniciativë deri në vjeshtën e këtij viti.
Sistemi i ri do të garantojë mundësinë e transferimit të parave 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, gjatë gjithë vitit, duke përfshirë fundjavat dhe ditët e festave zyrtare.
