Shtyhen gjykimet për krime lufte, kërkohet bashkëpunim ndërinstitucional

Procesi i rëndësishëm gjyqësor për Masakrën e Reçakut, një nga rastet kyçe në sistemin e drejtësisë, nuk arriti të mbahej në datën e paraparë. Edhe pse mungesa e të akuzuarve nuk ishte pengesë ligjore për nisjen e tij, seanca u shty për shkak se jo të gjithë avokatët e caktuar zyrtarisht ishin të pranishëm. Madje, për disa nga të akuzuarit nuk dihej kush ishte caktuar si avokat mbrojtës.

Një situatë e ngjashme u shënua edhe në seancën gjyqësore për dëbimin e shqiptarëve gjatë luftës së fundit, ku gjyqtarët u ankuan se Oda e Avokatëve nuk kishte komunikuar me ta për caktimin e avokatëve.

Përkundër pyetjeve të vazhdueshme nga televizioni, Oda e Avokatëve nuk ka dhënë përgjigje lidhur me këtë problematikë.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës thekson se këto çështje duhet të adresohen nga institucionet përgjegjëse për të shmangur probleme të tilla në të ardhmen.

Arbnora Luta, zyrtare për komunikim me publikun në PSRK, ka deklaruar: “Prokuroria Speciale është e vetëdijshme se gjykimet në mungesë përbëjnë një praktikë të re dhe se, gjatë zbatimit të tyre, janë evidentuar sfida të caktuara procedurale. Besojmë dhe kërkojmë që këto çështje të adresohen përmes bashkëpunimit institucional ndërmjet Këshillit Gjyqësor dhe Odës së Avokatëve, me qëllim që në të ardhmen, seancat gjyqësore të mos shtyhen dhe procedurat gjyqësore të zhvillohen në mënyrë sa më efikase dhe në përputhje me ligjet në fuqi.”

Nevoja për një koordinim më të mirë mes Odës së Avokatëve dhe Gjykatës në Prishtinë theksohet edhe nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Amer Aliaj nga ky Fond ka thënë për Dukagjinin se “është çështje teknike dhe mund të arrihet një koordinim apo mirëkuptim mes kryetarit të Gjykatës dhe kryetarit të Odës së Avokatëve për të gjetur një zgjidhje me qëllim të efikasitetit të këtyre proceseve, pra të mos shndërrohet në një praktikë të dëmshme. Rastet e gjykimeve në mungesë kërkojnë përgatitje disamujore për fillimin e tyre, pasi janë më specifike dhe kërkojnë përmbushjen e disa kushteve përpara nisjes së gjykimit.”

Avokati Ardian Bajraktari sqaron rëndësinë thelbësore të mbrojtjes në këto lloj rastesh. Ai ka shpjeguar se “gjykimi në mungesë, si një institut relativisht i ri në Kodin e Procedurës Penale, ka sfida të shumta. Njëra prej tyre është çështja e mbrojtjes, sidomos kur kemi të bëjmë me krime lufte dhe raste të ngjashme. Megjithatë, duhet theksuar se e drejta për mbrojtje, gjatë gjithë fazës së procedurës, është një nga të drejtat themelore për të garantuar një proces të drejtë gjyqësor.”

Edhe raporti i fundit i OSBE-së për gjykimet e krimeve të luftës, thekson si një prej gjetjeve kryesore vonesat e shpeshta në procedura.