Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar të shtunën se është i gatshëm të pranojë që lideri i partisë Yashar, Gadi Eisenkot, të marrë fillimisht postin e kryeministrit, në kuadër të një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit, që synon t’i japë fund ngërçit politik në Izrael.
Në një deklaratë publike, Netanyahu tha se, si lider i partisë më të madhe, sipas tij, do të duhej të drejtonte qeverinë e unitetit kombëtar. Megjithatë, ai theksoi se është i gatshëm të bëjë kompromis në interes të vendit, raporton Euronews, transmeton IndeksOnline.
“Natyrisht, unë duhet ta drejtoj qeverinë e unitetit ose, së paku, të jem i pari që do të shërbejë si kryeministër në kuadër të një marrëveshjeje për rotacion. Megjithatë, duke pasur parasysh seriozitetin e kërcënimit ekzistencial dhe mundësinë e formimit të një qeverie që nuk do të ishte në gjendje të përballej me të, përgjegjësia ime si lider më kërkon të lë anash gjithçka, përfshirë parimin që partia më e madhe duhet ta udhëheqë qeverinë”, deklaroi Netanyahu.
Ai bëri të ditur se pajtohet që Gadi Eisenkot të shërbejë fillimisht si kryeministër, ndërsa vetë ai të mbajë postin e kryeministrit në detyrë dhe zëvendëskryeministrit në fillim të mandatit parlamentar.
Netanyahu u shpreh se pret që, pas këtij propozimi, të nisin menjëherë negociata serioze dhe të përshpejtuara, duke kërkuar që edhe pala tjetër të jetë e gatshme për kompromise dhe lëshime të ngjashme.
Sipas tij, synimi është formimi i një qeverie të unitetit kombëtar, e cila do të jetë në gjendje të përballet me kërcënimet dhe të garantojë sigurinë dhe të ardhmen e Izraelit.
