Qarkorja e Gjakovës: Ministria detajon investimin prej mbi 5 milionë eurosh

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) ka njoftuar një investim prej mbi 5 milionë eurosh për rikonstruksionin dhe zgjerimin e rrugës “Bujar Roka”, një segment kyç i Qarkores së re të Gjakovës.

Ky investim i fundit vjen si pjesë e angazhimeve të vazhdueshme të ministrisë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në qytet. Duke përfshirë kontratën e mëparshme për lidhjen e Gjakovës me drejtimin e Prizrenit, si dhe projektin aktual për tranzitin e ri, shuma totale e investimeve të MIT në Qarkoren e Gjakovës arrin në 8.7 milionë euro.

Hartimi i projektit është bërë nga Komuna e Gjakovës, ndërsa financimi i plotë është siguruar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

Me këtë investim, pritet të përmirësohet ndjeshëm qarkullimi i automjeteve, të rritet siguria në trafik dhe të krijohen kushte më të favorshme për banorët dhe bizneset e zonës.