**Kusari: Digjitalizimi i proceseve administrative do të lehtësojë bizneset**
Deputetja Mimoza Kusari-Lila mori pjesë në hapjen e punëtorisë kombëtare kushtuar sigurisë dhe inovacionit, e organizuar nga Konsorciumi i Sigurisë dhe Inovacionit Kombëtar (NSIC), që vepron në kuadër të RIT Kosovo.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Dixhitalizimit, Lulzim Jagxhiu, presidentja e RIT Kosovo, prof. Albina Balidemaj, drejtori i NSIC-së, Xhavit Gashi, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe agjencive shtetërore.
Kusari theksoi se siguria dhe inovacioni janë dy shtylla kyçe për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese. Ajo shtoi se Kosova duhet të harmonizojë legjislacionin me zhvillimet teknologjike dhe të përshpejtojë integrimin e teknologjisë në administratën publike.
Më tej, deputetja bëri me dije se janë ndërmarrë hapa konkretë drejt digjitalizimit të proceseve administrative për bizneset, me qëllim që regjistrimi, certifikimi dhe mbështetja e tyre të bëhen më të shpejta, më efikase dhe më të sigurta.
Sipas Kusarit, reforma të tilla do të nxisin ndërmarrësinë, inovacionin dhe do të rrisin besimin e qytetarëve dhe bizneseve te institucionet publike. Ajo falënderoi RIT Kosovo për organizimin e punëtorisë, duke vlerësuar se bashkëpunimi mes institucioneve, akademisë dhe sektorit të inovacionit është thelbësor për zhvillimin e Kosovës.
