**Shkencëtarët: Syzet e diellit duhet të ndërrohen çdo dy vjet për mbrojtje efektive**

Shkencëtarët rekomandojnë ndërrimin e syzeve të diellit çdo dy vjet, pasi pas kësaj periudhe ato humbasin efikasitetin në mbrojtjen nga rrezet ultraviolete (UV).

Me kalimin e kohës, rrezet e diellit dëmtojnë lentet e syzeve, duke bërë që ato të lëshojnë më shumë rreze UV dhe të ofrojnë më pak mbrojtje për sytë.

Për këtë arsye, hulumtuesit brazilianë kanë bërë thirrje për rishqyrtimin e standardeve të testimit të cilësisë së lenteve, me qëllim vendosjen e kufijve të qartë për filtrimin e rrezeve. Ata theksojnë se një test i ri do të garantonte që syzet e diellit të ofronin mbrojtje të sigurt për një periudhë dyvjeçare.

Përdorimi i syzeve të diellit që nuk ofrojnë mbrojtje të duhur mund të shkaktojë edemë dhe pengesa të shikimit, si pasojë e ënjtjes së syrit.

Është thelbësore t’i mbani syzet e diellit sa herë që jeni jashtë, pothuajse gjatë gjithë vitit. Ashtu si lëkura, edhe sytë tuaj ekspozohen ndaj rrezeve të dëmshme UV, madje edhe në ditët me re apo mjegull, kur dielli nuk duket i fortë.