**Arrestohen dy persona për krime lufte, Beogradi dhe Lista Serbe reagojnë ashpër**

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar arrestimin dhe ndalimin për 48 orë të dy personave, të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, M.J. dhe M.B. dyshohen se kanë kryer krime ndaj civilëve në zonën e Mitrovicës gjatë luftës së vitit 1999.

Prokuroria ka theksuar se hetimet për këtë rast janë në vazhdim dhe se, për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës penale, nuk mund të ofrojë detaje të tjera për momentin.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka njoftuar më pas se po kryhen gërmime në një fshat të Zubin Potokut, pasi dyshohet për mbetje mortore të personave të zhdukur nga lufta e Kosovës.

Menjëherë pas arrestimeve, ka reaguar Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e mbështetur nga Beogradi. Ajo ka deklaruar se akuzat për krime lufte “janë kthyer në mjet frikësimi për popullin tonë, e jo në përpjekje për vendosjen e drejtësisë”. Sipas tyre, arrestimet përbëjnë “vazhdim të presionit” të autoriteteve kosovare, të udhëhequra nga kryeministri Albin Kurti, ndaj komunitetit serb.

Edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë reagoi, duke i cilësuar arrestimet në Zubin Potok si “terrorizëm, hakmarrje dhe frikësim” ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Kërkimet për rreth 1.600 persona të zhdukur, shumica prej tyre shqiptarë, vazhdojnë edhe sot.

Kohët e fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar disa persona të dyshuar dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte.

Hetimet për krimet e luftës në Kosovë janë zhvilluar fillimisht nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK) nga viti 2000 deri në 2008. Më pas, nga viti 2008, ato u morën përsipër nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Që nga viti 2018, EULEX-i ia ka transferuar këto raste institucioneve vendore të drejtësisë në Kosovë.

Burimi: REL