Dy të rinj arrestohen në Han të Elezit pas rrahjes së një moshatari

**Hani i Elezit, 29 korrik** – Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë, rreth orës 21:25, në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit, ka ndodhur një rrahje midis disa personave. Si pasojë, dy të rinj janë arrestuar.

Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë lidhje me një konflikt të mëhershëm, i cili kishte ndodhur më 27 korrik dhe për të cilin ishte hapur një rast penal për veprën “Lëndim i lehtë trupor”.

Në njoftimin e policisë theksohet se, më 28 korrik, në rrugën “Dituria” në Paldenicë, dy të dyshuarit, F.K. (22 vjeç) dhe F.K. (20 vjeç), kanë sulmuar viktimën (23-vjeçar) duke përdorur mjete të forta. Ata e kanë goditur në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime trupore. Pas sulmit, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Viktima fillimisht mori trajtim mjekësor në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Han të Elezit, ndërsa më pas u dërgua për trajtim të specializuar në Qendrën Emergjente të Ferizajt.

Me autorizim të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë, në pritje të procedurave të mëtejshme hetimore.