Dukagjini i ka dhënë fund aventurës së tij në garat evropiane për këtë edicion.
Skuadra nga Klina u mposht me rezultat të thellë 5:1 nga Lugano në ndeshjen e zhvilluar në Hajvali, shkruan Gazeta Express.
Takimi i parë, i luajtur një javë më parë në Zvicër, ishte mbyllur me fitore minimale 1:0 për skuadrën zvicerane.
Lugano e vulosi kualifikimin që në pjesën e parë, duke realizuar tri gola. Dy prej tyre i shënoi Behrens, ndërsa një tjetër Dos Santos.
Golin e vetëm për Dukagjinin e realizoi Maliqi.
Në pjesën e dytë, mysafirët shënuan edhe dy herë të tjera. Fillimisht Sinani devijoi topin në rrjetën e tij për autogol, ndërsa më pas Behrens kompletoi “hat-trick”-un e tij.
Me këtë fitore, Lugano avancon në raundin e tretë kualifikues, ndërsa Dukagjini eliminohet nga garat evropiane për këtë sezon.
