Real Madridi dhe Barcelona nuk kanë hequr dorë nga ideja për të transferuar Erling Haalandin, duke shpresuar që vitin e ardhshëm të realizojnë një prej marrëveshjeve më të bujshme në historinë e futbollit.
Edhe pse sulmuesi norvegjez ka kontratë me Manchester Cityn deri në qershor të vitit 2034, të dy gjigantët spanjollë besojnë se ai mund të largohet nga Anglia shumë më herët, transmeton IndeksOnline.
Sipas raportimeve të “TEAMtalk”, Real Madridi dhe Barcelona vazhdojnë të mbajnë kontakte të rregullta përmes ndërmjetësve, pasi po ndjekin me vëmendje situatën e yllit norvegjez në “Etihad Stadium”.
Shiko edhe:
Një prej faktorëve kryesorë që mund ta shtyjë Haalandin drejt largimit është pakënaqësia e tij me ecurinë e fundit të Manchester Cityt, veçanërisht pas largimit të Pep Guardiolës nga stoli dhe emërimit të Enzo Marescas.
Raportohet se sulmuesi dhe disa prej bashkëlojtarëve të tij kanë shfaqur shenja të dukshme frustrimi për shkak të rezultateve të dobëta në javët e fundit.
“Citizens” nuk po bindin as në Ligën Premier, ku renditen në pozitën e tretë – gjashtë pikë prapa liderit Arsenal dhe as në Ligën e Kampionëve, ku kanë grumbulluar vetëm 10 pikë nga 15 të mundshme.
Një tjetër shqetësim serioz për Haalandin mbetet kërcënimi i sanksioneve ndaj Manchester Cityt për shkeljet e pretenduara të rregullave të “Fair Play Financiar”.
Klubi anglez rrezikon dënime të rënda, përfshirë edhe zbritjen administrative nga kategoria, nëse akuzat vërtetohen.
Për më tepër, në kontratën e golashënuesit norvegjez ekziston një klauzolë që mund t’ia lehtësojë largimin nëse ai vendos të nisë një aventurë të re në La Liga. /IndeksOnline/
