Ka nisur gjykimi në mungesë ndaj 21 personave të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile, lidhur me masakrën e Reçakut. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve shqiptarë më 15 janar 1999.
Seanca e parë gjyqësore, e cila ishte paraparë më herët, kishte dështuar pasi disa avokatë mbrojtës nuk ishin pajisur me dokumentet e nevojshme të lëndës, ndërsa të tjerë kishin munguar.
Aktakuza ndaj 21 personave, e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2023, propozon gjykimin në mungesë. Ajo i akuzon ata për veprën penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”, konkretisht për masakrën e Reçakut, duke përfshirë vrasje mizore, trajtim çnjerëzor, dëbime dhe shkatërrim të pasurisë së civilëve.
Në aktakuzë janë përfshirë emrat e 21 personave, ndër të cilët përmenden: Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsman Jeliq, Goran Radosavljeviq, Zhivko Trajkoviq, Bogoljub Janiqeviq, Milan Leçiq, Radomir Mitiq, Dragan Gjorgoviq, Branko Mladenoviq, Dragan Jasoviq, Momqilo Sparavalo, Darko Amanoviq, Srboljub Vujnoviq, Bozhidar Marinkoviq, Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq, Dragoslav Nikoliq, Çedomir Aksiq dhe Zvonimir Janiqijeviq.
Sipas aktakuzës, krimet janë kryer në periudhën 1998-1999, gjatë luftës në Kosovë, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes. Të akuzuarit, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë (Brigada e 243-të e Mekanizuar, Korpusi i III-të i Prishtinës) dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), përfshirë njësitë speciale si PJP, SAJ, RDB, RJB dhe Njësitë Rezervë, akuzohen se kanë vepruar me dashje, individualisht dhe në përgjegjësi komanduese.
Ata akuzohen për shkelje të rëndë të rregullave të të drejtës ndërkombëtare, duke kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile shqiptare, e cila nuk ishte e përfshirë në luftime. Aktakuza specifikon rolet e secilit prej të akuzuarve, duke përfshirë funksionarë të lartë të MUP-it, komandantë të njësive ushtarake dhe policore, deri te pjesëtarë të thjeshtë të policisë dhe inspektorë hetimesh në stacionet policore lokale.
