**Merdare: Sekuestrohen cigare elektronike të padeklaruara, vlera rreth 10 mijë euro**
Dogana e Kosovës ka konfiskuar në pikën kufitare të Merdares mallra të padeklaruara, të cilat u zbuluan në një autobus të linjës ndërkombëtare.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur të shtunën, më 4 prill, kur një autobus i linjës ndërkombëtare u paraqit për kontroll doganor.
Zyrtarët doganorë pyetën drejtuesin e automjetit nëse kishte mallra për të deklaruar, por ai u përgjigj negativisht.
Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, automjeti u përzgjodh për një kontroll të dytë dhe u dërgua në ambientet e kontrollit të thelluar. Gjatë këtij kontrolli, në pjesën e motorit, si dhe në hapësirën e tualetit, u zbuluan mallra të fshehura.
“U evidentuan tri pako me cigare elektronike, në sasi prej 500 copësh, me një vlerë të përafërt prej rreth 10,000.00 euro,” njoftoi Dogana.
Ky institucion bëri me dije se ka ndërmarrë veprimet përkatëse, duke ndaluar përkohësisht mallin deri në përfundimin e procedurave administrative.
