Dogana e Kosovës ka njoftuar për konfiskimin e 500 copë cigareve elektronike të padeklaruara, me një vlerë të përafërt prej rreth 10,000 eurosh, të gjetura në një autobus të linjës ndërkombëtare në pikën kufitare të Merdares, të shtunën, më 4 prill.

Sipas njoftimit të Doganës, rasti ka ndodhur pasi një autobus i linjës ndërkombëtare kishte mbërritur në pikën kufitare. Zyrtarët doganorë kishin pyetur drejtuesin e autobusit nëse kishte mallra për të deklaruar, por ai ishte përgjigjur negativisht.

Më pas, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, autobusi u përzgjodh për një kontroll të thelluar. Gjatë këtij kontrolli, malli i fshehur u zbulua në pjesën e motorit dhe në hapësirën e tualetit. Bëhet fjalë për tre pako me 500 copë cigare elektronike.

Dogana bëri me dije se ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, duke sekuestruar përkohësisht mallin deri në përfundimin e procedurave administrative të rastit.