Italia ka pezulluar marrëveshjen e Shengenit me Spanjën, duke mbyllur kufijtë ajrorë dhe detarë mes dy vendeve. Ky vendim u mor për shkak të krizës së emigrantëve, e nxitur nga flukset e fundit në enklavën spanjolle të Ceutës.
Siç raporton Euronews, Ministria e Brendshme italiane ka urdhëruar mbylljen e kufijve detarë dhe ajrorë me Spanjën, duke pezulluar përkohësisht regjimin e lëvizjes së lirë të Shengenit ndërmjet dy shteteve.
Ky veprim u njoftua të enjten në mbrëmje nga Kryeministrja Giorgia Meloni dhe zëvendëskryeministrat Antonio Tajani e Matteo Salvini. Vendimi vjen pas mbërritjes së mijëra emigrantëve në enklavën spanjolle të Afrikës Veriore, Ceuta.
Zëvendëskryeministri Antonio Tajani shkroi në X (ish-Twitter): “Pezullimi i përkohshëm i Shengenit me Spanjën është një zgjedhje e nevojshme për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve tanë dhe kufijtë evropianë. Është një masë e parashikuar nga traktatet dhe e bërë e pashmangshme sot.”
Ai shtoi se “kriza e emigrantëve në Ceuta na kujton se menaxhimi i kufijve të Bashkimit Evropian është një përgjegjësi e përbashkët e vendeve tona. Ne duhet të punojmë së bashku për të parandaluar hyrjen e flukseve të pakontrolluara të emigrantëve në territorin e BE-së, me të gjitha rreziqet pasuese, përfshirë kërcënimin e terrorizmit, i cili duhet të kundërshtohet pa hezitim.”
Vendimi u miratua zyrtarisht të premten në mëngjes gjatë një takimi në Ministrinë e Brendshme, i kryesuar nga Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi. Ky miratim u bazua në vlerësimet e Komitetit Italian për Analizën e Migracionit dhe Sigurinë Kufitare.
Ndërkohë, edhe Franca ka vendosur të forcojë kontrollet përgjatë kufirit tokësor me Spanjën, njoftoi Presidenti Emmanuel Macron. Ai gjithashtu ofroi mbështetje për autoritetet spanjolle në menaxhimin e emergjencës në enklavën e Afrikës Veriore.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez iu kundërpërgjigj Italisë në platformën X, duke argumentuar se “solidariteti dhe empatia janë opsionale, por respekti për traktatet evropiane dhe faktet nuk janë”. Ai përmendi shifrat e Frontex, të cilat tregonin se Italia regjistroi më shumë hyrje të parregullta sesa Spanja mes viteve 2021 dhe 2023. Sánchez bëri thirrje për “një Bashkim Evropian të fortë dhe të bashkuar”.
