Një tender prej 450 mijë eurosh për asfaltimin e rrugëve në Komunën e Zubin Potokut ka ngritur dyshime të forta për kufizim të konkurrencës. Në këtë procedurë ka konkurruar vetëm një grup operatorësh ekonomikë, ndërsa kërkesat e dy kompanive për rishqyrtim të kritereve të tenderit janë refuzuar nga komuna.

Procedura e prokurimit, me numër 645-26-9182-5-2-1, u iniciua nga Kuvendi Komunal i Zubin Potokut më 21 tetor 2026 dhe ka si qëllim asfaltimin e rrugëve lokale. Vlera e parashikuar e kontratës arrin në 450 mijë euro.

Gjatë procesit të hapjes së ofertave, u konstatua se kishte paraqitur ofertë vetëm një grup operatorësh ekonomikë, i përbërë nga kompanitë “Plus Trade L.L.C”, “Eurotrans SH.P.K” dhe “Gursel & Bajram Sylejmani”. Oferta e këtij grupi ishte mbi 447 mijë euro, shumë kjo tepër afër vlerës maksimale të parashikuar të kontratës. Kjo pjesëmarrje e kufizuar dhe vlera e ofertës kanë ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si janë hartuar kriteret e dosjes së tenderit, duke lënë të kuptohet se ato mund të kenë qenë kufizuese për operatorët e tjerë ekonomikë, duke u pamundësuar atyre pjesëmarrjen.

Shqetësimet janë thelluar edhe nga fakti se kriteret e tenderit u kundërshtuan zyrtarisht nga dy kompani. Kompanitë “AMARI GFC SH.P.K.” dhe “Urban O.P.” paraqitën kërkesë për rishqyrtim pranë Komunës së Zubin Potokut, duke pretenduar shkelje të neneve 6, 7, 27, 28, 51 dhe 69 të Ligjit për Prokurimin Publik, të cilat lidhen me parime si ekonomiciteti, barazia në trajtim, mosdiskriminimi, përmbajtja e dosjes së tenderit, specifikimet teknike dhe aftësitë profesionale. Mirëpo, më 28 tetor 2026, Divizioni i Prokurimit i Komunës së Zubin Potokut e refuzoi kërkesën si të pabazuar. Komuna argumentoi se kriteret ishin përcaktuar në përputhje me legjislacionin dhe ishin të domosdoshme për realizimin e projektit, duke vendosur që procedura e prokurimit të vazhdojë.

Në arsyetimin e saj, komuna shpjegoi se kërkesat për makineri asfaltimi, pajisje teknike, staf profesional dhe certifikata ISO ishin thelbësore për të siguruar realizimin e punimeve sipas standardeve të kërkuara.