Shala: Vuçiq po ndërton narrativë për ndërhyrje ushtarake në Kosovë; kritikon BE-në për standarde të dyfishta**
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, vlerëson se deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tregojnë një orientim strategjik të Beogradit drejt krijimit të një narrative për ndërhyrje ushtarake në Kosovë. Ai gjithashtu kritikoi qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, duke theksuar se po vepron me standarde të dyfishta.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Shala theksoi se mesazhi i Vuçiqit drejtuar kadetëve të rinj të Akademisë Ushtarake të Serbisë përbën një paralajmërim serioz për sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Sipas Shalës, Vuçiq u tha oficerëve të diplomuar se duhet të përgatiten për një “çështje tejet të rëndësishme” që do të karakterizojë dekadën e ardhshme, duke theksuar se “betimi juaj shkon për ta mbrojtur tokën e Kosovës”, në kuadër të Kushtetutës së Serbisë, dhe se Rezoluta 1244 e OKB-së “nuk janë më valide”.
Shala shpjegon se deklaratat e fundit të zyrtarëve serbë dëshmojnë që Beogradi planifikon ndërhyrje, duke argumentuar se për Serbinë “legjitimiteti ndërkombëtar në Republikën e Kosovës, si garancë e paqes dhe sigurisë, më nuk ekziston”. Ai përmendi si shembull edhe deklaratën e një ministres së qeverisë serbe, e cila tha se “do të duhet të bëjmë një spastrim etnik qysh ka ndodhur në vitet e ’90-ta”. Sipas Shalës, të gjitha këto sinjale tregojnë orientimin strategjik të Beogradit zyrtar për të krijuar momentum politik dhe narrativë për ndërhyrje ushtarake.
Eksperti i sigurisë kritikoi ashpër edhe qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, duke theksuar se BE-ja po luan me standarde të dyfishta. Ai argumenton se mosreagimi dhe mosndëshkimi i qëndrimeve zyrtare të krerëve institucionalë serbë i jep hapësirë Vuçiqit për veprime dhe manovra. Shala shtoi se përpjekjet e BE-së për ta tërhequr Serbinë nga orbita ruse kanë qenë të pasuksesshme, pasi Beogradi, sipas tij, nuk e ka përfaqësuar kurrë frymën e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor gjatë 20 viteve të fundit. Kjo qasje e BE-së, sipas Shalës, është kontraverse dhe kontribuon në zhvillime që cenojnë drejtpërdrejt sigurinë kolektive në rajon.
Këto komente vijnë pas një sërë deklaratash nga zyrtarë të lartë serbë. Ditë më parë, presidenti Vuçiq u tha oficerëve të rinj të Akademisë Ushtarake që të jenë të gatshëm për mbrojtjen e asaj që ai e quajti “tokë e shenjtë e Serbisë”, duke aluduar në Kosovën. Po ashtu, javë më parë, ministrja serbe Paunoviq deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta spastronte etnikisht Kosovën.
Të mërkurën, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, reagoi ashpër ndaj deklaratës së një deputeti që Kosovës iu referua si shtet fqinj. Bërnabiq theksoi se ky nuk është qëndrimi zyrtar i Kuvendit të Serbisë, duke shtuar se “Për Kuvendin Popullor të Republikës së Serbisë, këta nuk janë fqinjët tanë. Kosova është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë. Krahinë autonome, Krahinë Autonome e Kosovës. Këta nuk janë fqinjët tanë.”
