Trupi i pajetë i një 28-vjeçareje ruse, e cila ishte raportuar e zhdukur që nga fundi i korrikut, është zbuluar brenda një valixheje në një kanal pranë Beogradit, në Serbi. Lidhur me rastin, një 25-vjeçar turk është arrestuar si i dyshuari kryesor për vrasjen.

Zbulimi i tmerrshëm u bë të enjten në mbrëmje nga banorë të zonës në Padinska Skela, një periferi e Beogradit, e vendosur në anën tjetër të lumit Danub, larg qendrës së kryeqytetit serb.

Pas ekzaminimeve mjeko-ligjore, viktima u identifikua si Lyudmila Turkova. Ministria e Brendshme e Serbisë bëri të ditur arrestimin e një shtetasi turk 25-vjeçar, i cili u ndalua në aeroportin e Beogradit teksa dyshohet se po tentonte të largohej nga vendi.

Hetimet paraprake sugjerojnë se gruaja është vrarë në orët e para të 26 korrikut, në një apartament me qira në lagjen Borça të Beogradit. Më pas, i dyshuari e ka futur trupin në një valixhe, e ka transportuar drejt Kanalit Vizelj dhe e ka braktisur aty, me qëllim fshehjen e gjurmëve të krimit.

Lyudmila Turkova ishte zhdukur mbrëmjen e 25 korrikut, pasi ndërpreu komunikimin me miqtë e saj. Pas denoncimit të zhdukjes së saj, autoritetet serbe nisën një hetim që kulminoi me gjetjen e trupit dhe arrestimin e të dyshuarit. Çështja tashmë i është kaluar prokurorisë serbe, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj vrasjeje tragjike.