Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e një personi në komunën e Kaçanikut, i dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile.
Arrestimi u realizua nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale. Personi me inicialet A.D. dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth në Komunën e Kaçanikut.
Gjatë operacionit të arrestimit dhe zbatimit të urdhër-kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan: një armë zjarri, dy karikatorë, 30 fishekë, një armë gjuetie ajrore dhe një uniformë e MUP-it serb.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës ripërsëritën angazhimin e tyre të palëkundur për ndjekjen penale dhe hetimin e të gjitha rasteve të krimeve të luftës së fundit në Kosovë.
