Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar me tone të ashpra për atë që ai e cilësoi si shtrirje të grupeve kriminale, të lidhura me qeverinë shqiptare, në Kosovë, duke theksuar rreziqe serioze për sigurinë rajonale.
Në përgjigje të raportimeve mediatike në Kosovë për investime të dyshimta në sektorin e ndërtimit nga grupe të afërta me kryeministrin Rama, Berisha deklaroi se ekziston rreziku i krijimit të një skeme të pastrimit të parave, të ngjashme me atë që, sipas tij, operon në Tiranë.
Ai theksoi se një zhvillim i tillë do të dëmtonte rëndë procesin e integrimit të Kosovës dhe do t’i ofronte Serbisë argumente për ta akuzuar atë si një “narko-shtet”.
Në deklaratën e tij, Berisha përsëriti akuzën se Shqipëria, nën qeverisjen e Edi Ramës, është kthyer në një “narko-shtet” që përbën një kërcënim jo vetëm për rajonin, por edhe për të gjithë Evropën.
“Në mediat e botës po rritet denoncimi i mafies shqiptare si mafia ndërkombëtare më e rrezikshme e planetit,” u shpreh ai, duke pretenduar se kjo mafie është eksportuesja kryesore e kanabisit dhe transportuesja kryesore e kokainës nga Amerika Latine drejt Evropës.
Në këtë kontekst, ai i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të marrin masa të menjëhershme dhe të shkëputin ato që ai i quajti “tentakulat mafioze të Tiranës” në territorin e tyre, me qëllim mbrojtjen e shtetit ligjor.
Përtej këtyre deklaratave, Berisha konfirmoi se Partia Demokratike mbetet e angazhuar në projektin e saj për një Mirditë të bashkuar brenda kufijve të saj natyralë si një entitet i vetëm i qeverisjes vendore, projekt që, sipas tij, do të zbatohet nga qeveria e ardhshme e dalë nga kjo forcë politike.
