Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar zyrtarë të qeverisë për një qëndrim të dyfishtë ndaj festivalit “Sunny Hill”, duke theksuar se të njëjtët që dikur tentuan ta bllokojnë dhe e etiketuan atë si “hajn”, sot po krenohen me suksesin e tij.

Rama e shprehu këtë akuzë përmes një postimi në Facebook, duke deklaruar se të njëjtët persona që, siç pretendon ai, para pesë vitesh bënë çdo përpjekje për të penguar zhvillimin e festivalit dhe e kishin shpallur atë “hajn”, tani po i thurin lavde dhe po krenohen me arritjet e tij.

“Për këtë festival “Sunny Hill”, para pesë vjetësh keni përdorur çdo mjet për ta bllokuar. Më keni shpallur hajn. Sot, për të njëjtin festival, po thurni lavde e po krenoheni me të”, theksoi ai.

Akuzat e Ramës lidhen me çështjen e parcelës së tokës në Bërnicë të Poshtme, të cilën Komuna e Prishtinës ia vuri në dispozicion në shfrytëzim afatgjatë organizatorëve të festivalit. Ky vendim shkaktoi përplasje të forta politike para disa vitesh, pasi propozimi për dhënien e rreth 17 hektarëve tokë për 99 vjet hasi në kundërshtime dhe vonesa të shumta, duke rrezikuar seriozisht mbajtjen e festivalit në kryeqytet. Pas këtyre sfidave, projekti u finalizua dhe festivali u zhvendos në lokacionin e ri në Bërnicë, ku mbahet aktualisht.