Ka përfunduar me një bilanc tragjik operacioni i kërkim-shpëtimit në minierën e Tërnovës në Bulqizë. Trupi i pajetë i minatorit 40-vjeçar, Ilir Kalaveri, është nxjerrë nga thellësia e minierës, pas aksidentit të rëndë gjatë procesit të punës.
Ngjarja ndodhi mesditën e së shtunës, kur 40-vjeçari nga Burreli, i punësuar si minator në subjektin privat “Eternal Security”, ra në një furnelë dhe u mbulua nga materiali i kromit në malin e Tërnovës.
Pas sinjalizimit për aksidentin, grupet e kërkim-shpëtimit dhe shërbimet e Policisë nisën operacionin për lokalizimin e tij.
Për disa orë vijuan përpjekjet në kushtet e vështira të punës nëntokësore, por minatori u gjet pa shenja jete.
