Mbyllja e edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival pritet të sjellë një tjetër natë spektakolare në Prishtinë, me performanca të artistëve ndërkombëtarë dhe vendorë që do ta përmbyllin festivalin tre-ditor në Sunny Hill Festival Park.
Pas atmosferës së krijuar në dy netët e para, ku mijëra vizitorë nga vende të ndryshme të botës ndoqën koncertet e emrave të njohur të skenës muzikore, organizatorët premtojnë një finale të fuqishme për natën e tretë.
Ylli kryesor i mbrëmjes së fundit do të jetë DJ dhe producenti Martin Garrix, një nga emrat më të njohur të muzikës elektronike në botë, i cili rikthehet në skenën e Sunny Hill Festival. Përveç tij, publiku do të ketë mundësi të shijojë edhe performanca të artistëve të tjerë ndërkombëtarë dhe vendorë, sipas agjendës së publikuar nga organizatorët, si Keinemusik.
Edicioni i këtij viti i Sunny Hill Festival, i mbajtur nga 31 korriku deri më 2 gusht, ka sjellë në Prishtinë emra të mëdhenj të muzikës botërore, duke përfshirë Katy Perry, Leëis Capaldi dhe Martin Garrix, ndërsa festivali ka tërhequr dhjetëra mijëra pjesëmarrës dhe ka konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në Evropën Juglindore.
Organizatorët kanë bërë të ditur se të gjitha biletat për edicionin e sivjetmë janë shitur, ndërsa mbyllja e festivalit pritet të kulmojë me një atmosferë elektronike dhe performanca që do të shënojnë fundin e tre netëve të muzikës në kryeqytet.
