Një çift në Leeds të Britanisë së Madhe është përballur me kritika të ashpra pasi dyshohet se e kanë lënë foshnjën e tyre të mbyllur vetëm në një veturë të nxehtë, ndërsa ata po kërkonin për oferta në një treg të gjërave të përdorura.
Ngjarja ka ndodhur në një treg pranë Otley Old Road, në Bramhope, ku policia është thirrur pas raportimeve se një fëmijë i vogël ishte lënë i vetëm në veturë, pa ujë, qumësht apo ushqim.
Një person ka publikuar në rrjetet sociale se foshnja ishte lënë e lidhur në ulësen e makinës, ndërsa prindërit po shikonin për blerje.
“Një foshnjë e vogël ishte vetëm në një veturë shumë të nxehtë, pa ujë, pa të rritur pranë, pa qumësht. Vetëm e lidhur në ulësen e makinës, ndërsa prindërit kërkonin oferta”, ka shkruar ai, shkruan Daily Star.
Sipas postimit, kaluan rreth 30 minuta derisa u arrit të hapej vetura dhe më pas edhe 30 minuta të tjera deri në mbërritjen e policisë. Punonjësit e tregut tentuan të gjenin pronarët e veturës, por pa sukses për një kohë të gjatë.
Rasti ka shkaktuar zemërim të madh në rrjetet sociale, ku shumë persona kanë kritikuar prindërit për rrezikun ndaj foshnjës.
“Pse askush nuk e theu xhamin? Njerëzit i thyejnë xhamat për qentë e lënë në vetura, jo për një foshnjë? Unë nuk do të prisja as 30 minuta”, ka shkruar një përdorues.
Një tjetër person pretendoi se prindërit nuk u arrestuan, duke thënë se kishte dëgjuar një polic t’u thoshte: “Nuk e dini sa me fat jeni që nuk po arrestoheni”.
Nuk është raportuar për lëndime të foshnjës, ndërsa policia është përfshirë në trajtimin e rastit.
