**Flutura Kusari kritikon SHSKUK-në për mbylljen e mbledhjeve të Bordit, e cilëson të gabuar interpretimin ligjor**
Juristja e medias, Flutura Kusari, ka kritikuar ashpër Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për mbylljen e mbledhjeve të Bordit të këtij institucioni, duke e cilësuar arsyetimin ligjor si të pabazuar dhe të gabuar.
Sipas Kusarit, Ligji për Shëndetësi dhe Statuti i SHSKUK-së nuk ndalojnë monitorimin e mbledhjeve. Ajo theksoi se institucioni, në mënyrë të papërshtatshme, është mbështetur në një ligj të përgjithshëm për të justifikuar vendimin për t’i zhvilluar mbledhjet pa praninë e publikut dhe medias.
Kusari ironizoi duke deklaruar se, nëse interpretimi i SHSKUK-së do të ishte i saktë, atëherë të gjitha mbledhjet e hapura të deritanishme, si dhe praktikat e institucioneve të tjera që lejojnë monitorimin nga mediat, do të konsideroheshin shkelje e ligjit.
Ajo theksoi se qëllimi i reagimeve të saj dhe të gazetarëve të tjerë nuk është rikthimi i mbledhjeve të hapura, por dokumentimi i mënyrës së qeverisjes dhe nivelit të transparencës institucionale.
“SHSKUK le të vazhdojë të operojë në errësirë dhe të menaxhojë shuma prej mbi 200 milionë eurosh pa transparencë publike. Ndërkohë, qytetarët kanë të drejtë të pyesin se ku shkojnë këto mjete dhe pse pacientët detyrohen t’i blejnë vetë barnat e nevojshme,” ka deklaruar Kusari.
Në fund, ajo u bëri thirrje personave që mund të kenë informacion për mbledhjen e radhës së Bordit të SHSKUK-së ta informojnë atë, duke theksuar se qëllimi i saj është të dokumentojë me fotografi dhe video dyert e mbyllura të një institucioni publik që menaxhon qindra miliona euro.
