Hyrje e dhunshme në shkollën e Suharekës: Dëmtohen dollapë, vidhen dy laptopë

Persona të panjohur dyshohet se kanë kryer një hyrje të dhunshme në shkollën fillore “Iliria” në fshatin Savrorë të Suharekës. Si pasojë e këtij incidenti, janë dëmtuar dollapë dhe janë vjedhur dy laptopë.

Ky incident ka nxjerrë në pah deklarata kontradiktore nga zyrtarët. Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani, deklaroi fillimisht për KosovaPress se “kurgjë s’kanë bërë dëm. Veç që kanë hyrë edhe kanë qëndruar pak aty, dritarja ka qenë hap, por kurgjë s’kanë demoluar”.

Megjithatë, drejtori i shkollës “Iliria”, Xhemajl Zenelaj, ka dhënë një version tjetër të ngjarjes. Ai konfirmoi për KosovaPress se rasti ka ndodhur dje në mëngjes, ku të dyshuarit kanë hyrë brenda objektit nga një dritare e hapur dhe kanë qëndruar aty për rreth katër orë.

Zenelaj shtoi se nga shkolla mungojnë dy laptopë, ndërsa janë dëmtuar dollapët e klasave dhe një dritare. “Po mungojnë dy llaptopa dhe janë dëmtuar dollapat e klasëve…Edhe dritarja që është thyer, tjetër gjë s’po vërehet”, theksoi ai.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, bëri me dije se policia ka nisur hetimet dhe po punon për identifikimin e të dyshuarve. “Policia ka nisur hetimet, është duke u marre me rastin dhe po heton se kush janë të dyshuarit”, u shpreh Bytyqi.

Deri më tani, shkolla “Iliria” në Savrorë të Suharekës nuk ishte përballur me situata të tilla.