Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, u bëri thirrje të martën autoriteteve të shtojnë përpjekjet për të ndihmuar popullsinë e goditur nga vala rekord e të nxehtit në vend, duke e quajtur atë një katastrofë kombëtare pasi 19 vdekje iu atribuan motit të lig.
Duke folur në një mbledhje të kabinetit, Leeja urdhëroi zyrtarët të marrin masat e nevojshme për të ndihmuar njerëzit të kryejnë detyrat e përditshme në mënyrë më të sigurt dhe të rishikojnë sistemet e energjisë ndërsa kërkesa për ajër të kondicionuar rritet.
“Një shqetësim edhe më i madh është se kushtet ekstreme të motit ka të ngjarë të vazhdojnë për një periudhë më të gjatë kohore”, tha Lee, i cili po propozon një ristrukturim të madh të sistemit të reagimit ndaj fatkeqësive për t’u përballur në mënyrë më efektive me kushtet e rrezikshme.
Agjencia Kombëtare Meteorologjike tha se Yangsan, një qytet juglindor i brendshëm i vendosur në një pellg, regjistroi një temperaturë prej 42.5 gradë Celsius të dielën, temperatura më e lartë e matur në 122 vjet të mbajtjes së të dhënave.
Agjencia lëshoi gjithashtu paralajmërimin e saj të parë për valë të nxehti për pjesë të Seulit dhe Gyeonggi-t fqinj të hënën, dhe e zgjeroi atë në të gjithë kryeqytetin të martën.
Një paralajmërim për valë të nxehti do të thotë që njerëzit duhet të pezullojnë aktivitetet në natyrë, të tilla si bujqësia, sportet dhe puna në kantieret e ndërtimit.
Agjencia Koreane e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve tha të martën se numri i të vdekurve nga vala e të nxehtit ishte rritur në 19, përfshirë 13 persona të moshës 80 vjeç e lart./Indeksonline/
