Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar Raportin e Stabilitetit Financiar për vitin 2025, i cili paraqet vlerësimin e zhvillimeve në sistemin financiar, rreziqeve ndaj stabilitetit financiar dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar përballë zhvillimeve të pafavorshme, duke evidentuar kapacitetin e tij për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Raporti është hartuar në një periudhë të karakterizuar nga pasiguri të larta, tensione gjeopolitike, presione inflacioniste dhe kushte më të shtrënguara të financimit. Përkundër këtyre zhvillimeve, ekonomia e Kosovës vazhdoi të shënojë rritje pozitive gjatë vitit 2025, ndërsa aktiviteti ekonomik u përshpejtua në tremujorin e parë të vitit 2026. Pozicioni i shëndoshë fiskal, niveli i ulët i borxhit publik dhe ruajtja e disiplinës fiskale vazhduan të kontribuojnë në zbutjen e rreziqeve makroekonomike.

Raporti konfirmon se sistemi financiar i Kosovës ruajti stabilitet të lartë gjatë vitit 2025, duke dëshmuar qëndrueshmëri ndaj zhvillimeve në ekonomi. Pozita e shëndoshë financiare e institucioneve financiare, korniza e avancuar rregullative dhe mbikëqyrëse, si dhe politikat makroprudenciale të ndjekura nga BQK kanë forcuar më tej kapacitetin e sistemit financiar për të absorbuar rreziqet dhe për të ruajtur funksionimin e qëndrueshëm të ndërmjetësimit financiar.

Vlerësimi i përgjithshëm i raportit është se rreziqet ndaj stabilitetit financiar mbeten nën kontroll. Sistemi financiar vazhdon të karakterizohet nga pozicion i fortë kapitali, likuiditet i mjaftueshëm, cilësi e mirë e aseteve dhe burime të qëndrueshme financimi, duke ruajtur aftësinë për të mbështetur ekonominë edhe në rast të materializimit të skenarëve më pak të favorshëm. Kjo dëshmon se sistemi financiar vazhdon të kryejë në mënyrë efektive funksionet e tij kryesore, duke ruajtur besimin e publikut dhe duke mbështetur financimin e ekonomisë.

Raporti vlerëson se, megjithëse mjedisi ndërkombëtar vazhdon të karakterizohet nga pasiguri të lidhura me tensionet gjeopolitike, fragmentimin ekonomik, kushte më të shtrënguara financiare, inflacionin dhe rritjen e rreziqeve kibernetike, sistemi financiar i Kosovës ka dëshmuar kapacitete të mjaftueshme për të ruajtur stabilitetin financiar dhe për të absorbuar goditje të mundshme.

Një nga gjetjet kryesore të raportit janë se rezervat ekzistuese të kapitalit dhe likuiditetit, së bashku me kapacitetin për gjenerimin e të ardhurave, sigurojnë vazhdimësinë e funksionimit të sektorit financiar dhe aftësinë e tij për të vazhduar mbështetjen e aktivitetit ekonomik edhe në kushte më sfiduese. Gjithashtu edhe rezultatet e stres-testimeve, konfirmojnë se sektori bankar mbetet i qëndrueshëm edhe nën skenarë të rënduar makroekonomikë dhe financiarë.

Raporti thekson gjithashtu rëndësinë e politikës makroprudenciale të BQK-së, e cila synon identifikimin në kohë të rreziqeve sistemike dhe forcimin e rezervave mbrojtëse të sektorit financiar. Kjo qasje kontribuon në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe krijon parakushte për zhvillimin e qëndrueshëm të ndërmjetësimit financiar.

Njëkohësisht, raporti evidenton progresin e vazhdueshëm në forcimin e qëndrueshmërisë operacionale dhe kibernetike, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe avancimin e digjitalizimit të shërbimeve financiare. Këto zhvillime rrisin sigurinë, efikasitetin dhe besimin në sistemin financiar, duke forcuar aftësinë e tij për t’iu përshtatur rreziqeve dhe sfidave në zhvillim.

Me gjithë zhvillimet pozitive, raporti paraqet  perspektivën dhe ekspozimin ndaj pasigurive nga mjedisi i jashtëm, përfshirë tensionet gjeopolitike dhe luhatjet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, të cilat kërkojnë vëmendjen e duhur institucionale.

Në përputhje me mandatin e saj ligjor, BQK do të vazhdojë të zbatojë politika të kujdesshme mbikëqyrëse dhe makroprudenciale, në harmoni me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, ne menyre qe të identifikojë me kohë rreziqet potenciale dhe të ndërmarrë masat e nevojshme për ruajtjen e stabilitetit financiar, të forcoje më tej qëndrueshmërinë e sistemit financiar per te krijuar kushte të favorshme për rritje ekonomike të qëndrueshme.

Raporti i Stabilitetit Financiar për vitin 2025 është i qasshëm në faqen zyrtare të BQK-së, në seksionin “Publikimet”, në këtë link: https://bqk-kos.org/wp-content/uploads/2026/08/BQK_FSR-22.pdf