Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSH) në Maqedoninë e Veriut ka lëshuar një paralajmërim urgjent për institucionet publike shëndetësore që disponojnë aparatura të rezonancës magnetike (MRI), duke u kërkuar të kontrollojnë rezervat e tyre të heliumit dhe të sigurojnë menjëherë sasi shtesë. Ky apel vjen për shkak të një ndërprerjeje të mundshme të furnizimit në tregun evropian dhe një rritjeje të ndjeshme të çmimeve, e lidhur me tensionet aktuale gjeopolitike në rajonin e Iranit.
Heliumi është thelbësor për funksionimin e aparaturave MRI, pasi shërben për ftohjen e magnetëve superpërçues. Mungesa e tij mund të paralizojë funksionimin e këtyre pajisjeve, duke shkaktuar ndërprerje të shërbimeve diagnostikuese vitale për pacientët.
Drejtori i FSSH-së, Sasho Klekovski, theksoi se ky apel ka karakter parandalues dhe synon të shmangë problematikat e mundshme në funksionimin e sistemit shëndetësor. Ai shtoi se është thelbësore që institucionet të vlerësojnë situatën dhe të ndërmarrin veprime ndërsa heliumi është ende i disponueshëm në treg.
Aktualisht, çmimi i heliumit ka shënuar një rritje prej rreth 30 për qind, me paralajmërime për shtrenjtim të mëtejshëm. Vështirësitë në furnizim janë pasojë e ndërprerjeve në zinxhirët globalë, të shkaktuara pjesërisht nga konfliktet dhe dëmtimet në infrastrukturën e rajonit të Gjirit Persik.
