Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, dhe basketbollisti i njohur i NBA-së, Jordan Clarkson, kanë nxitur spekulime për një lidhje të mundshme pas një daljeje të përbashkët në New York.
Sipas “TMZ”, dyshja kaloi një ditë të veçantë së bashku, e cila nisi me një aktivitet artistik dhe përfundoi në një nga eventet më prestigjioze të modës në qytet.

Bebe dhe Clarkson morën pjesë fillimisht në një sesion krijues me artistin Leopoldo Gout, ku së bashku realizuan një pikturë abstrakte me ngjyra të ndezura. Fotografitë e publikuara nga New York Vintners tregojnë këngëtaren shqiptare dhe basketbollistin duke punuar krah për krah në krijimin e veprës artistike.
Në njërën prej fotografive, Jordan Clarkson shihet duke pozuar para pikturës së përfunduar, ndërsa Bebe Rexha shfaqet pas tij duke buzëqeshur. Në një tjetër imazh, dyshja pozon së bashku me artistin Leopoldo Gout, ndërsa basketbollisti vendos krahun rreth këngëtares.

Sipas New York Vintners, vepra artistike është realizuar nga të tre dhe pritet të dhurohet për bamirësi.
Pas këtij momenti kreativ, Rexha dhe Clarkson morën pjesë në eventin prestigjioz “United Flags of Fashion”, të organizuar nga Vogue dhe Këshilli i Dizajnerëve të Modës së Amerikës (CFDA), në Rockefeller Center.
Gjatë mbrëmjes, dyshja u fotografua së bashku në disa momente, ndërsa sipas raportimeve, ata u larguan bashkë nga eventi. Pamjet e tyre duke dalë nga ambientet kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe kanë shtuar më tej dyshimet e fansave për një raport më shumë se miqësor.
Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim nga Bebe Rexha apo Jordan Clarkson për një lidhje mes tyre. Nuk dihet nëse basketbollisti ishte thjesht shoqërues i këngëtares në event apo nëse mes tyre ka nisur diçka më shumë.
