Fetus i gjetur në lavatriçe në Spitalin e Pejës: Familja padit për neglizhencë dhe kërkon dëmshpërblim
Një ngjarje tronditëse që kishte ndodhur në dhjetor të vitit 2022 në Spitalin e Pejës, ku një fetus i lindur pa shenja jete ishte gjetur në lavatriçe, vazhdon të ketë pasoja ligjore. Familja e viktimës ka ngritur padi kundër Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, duke kërkuar një kompensim financiar prej 20 mijë eurosh. Në të njëjtën kohë, dy persona janë akuzuar penalisht lidhur me këtë rast.
M.Z., në muajin e nëntë të shtatzënisë, më 13 dhjetor 2022, pas një kontrolli gjinekologjik, u konstatua se fetusi nuk kishte rrahje zemre. Ajo u dërgua në repartin e obstetrikës në Spitalin Rajonal të Pejës, ku rreth orës 19:10, me ndërhyrje kirurgjikale, u nxorr fetusi i pajetë.
Avokatja e familjes, Saranda Keqekolla-Sadiku, bëri të ditur se seanca për këtë rast do të mbahet së shpejti. Si provë në padi përmendet epikriza e lëshuar nga Departamenti Nëna dhe Fëmija, Reparti i Obstetrikës në Spitalin Rajonal të Pejës.
Paditësit pretendojnë se ditën tjetër, kur shkuan në spital për të marrë trupin e foshnjës për ceremoninë e varrimit, vërejtën parregullsi. Dorëzimi i trupit u vonua, dhe më pas u konstatua se ai nuk ishte mbështjellë me çarçafë të bardhë, siç parashikohet nga rregullat, por ishte vendosur në një qese për larjen e rrobave, gjë që sipas tyre përbën trajtim të papërshtatshëm. Për këtë pretendim, në padi përmendet si provë raporti i policisë. Familja kërkon që gjykata t’i detyrojë institucionet shëndetësore t’u paguajnë 20 mijë euro si kompensim për dëmin e pretenduar.
**Aktakuza dhe deklaratat e dëshmitarëve**
Për këtë rast, janë ngritur aktakuza ndaj dy të pandehurve për veprën penale “Dëmtim i varrezave apo kufomave”, sipas nenit 413, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Janë thirrur si dëshmitarë katër pjesëtarë të stafit spitalor dhe një inspektor shëndetësor.
Sipas raportit informues të Policisë Rajonale të Pejës, i dorëzuar më 16 dhjetor 2022, thuhet se më 13 dhjetor 2022, rreth orës 19:00, një fetus i cili ishte i vdekur që më parë dhe i lindur me ndërhyrje kirurgjikale, ishte sistemuar në dhomat e repartit nën përkujdesjen e mjekëve dhe motrave medicinale.
Nga deklarimet e nënës së fetusit, rezulton se ajo nuk e kishte parë trupin e pajetë pas lindjes, por ishte informuar nga nëna e saj se ai ishte mbështjellë me çarçafë të bardhë, pa shenja jete. Ajo pohoi se më vonë i ishte thënë se trupi ishte mbështjellë në mënyrë jo të rregullt, duke e bërë të vështirë të kuptohej nëse kishte diçka brenda çarçafit. Ajo shprehu dëshirën për ta parë fëmijën, ndonëse nuk e kishte kërkuar nga stafi.
Babai i fetusit, ndërkohë që kishte hapur varrin dhe përgatitur ceremoninë mortore, nuk ishte në dijeni se trupi ishte futur në lavatriçe për shkak të pakujdesisë. Ai u informua nga një mik për praninë e policisë në spital dhe zbulimin tronditës. Ai beson se incidenti ndodhi për shkak të neglizhencës së personave përgjegjës në trajtimin dhe vendosjen e trupit të pajetë pas lindjes, si dhe për shkak të mbështjelljes jo të duhur të tij.
**Dëshmia e pastruesit dhe infermieres**
Një pastrues, F.Z., deklaroi se mëngjesin e incidentit, rreth orës 07:15, mori enën me rroba të papastra nga reparti obstetrik dhe i derdhi në lavanderi. Ai theksoi se nuk kishte vendosur asnjë çarçaf në kazan individualisht dhe se vetëm i kishte zbrazur të gjitha në tokë në lavanderi. Më pas, pastruesi u njoftua nga një infermiere se makina e pastrimit ishte ndalur dhe se një punëtore kishte nisur t’i nxirrte çarçafët duke i shkundur, moment në të cilin copëzat e trupit të fetusit filluan të bien në tokë.
Mjeku kryesor që kishte kryer operacionin deklaroi se dhoma e morgut funksionon edhe për frytet e vdekura dhe se nuk lejohet të tërhiqen trupat e pajetë pas orës 19:00.
Nga ana e saj, infermierja e dyshuar deklaroi se pasi kishte peshuar dhe matur beben, e kishte mbështjellë me një material të improvizuar dhe me një marker të zi kishte shkruar emrin e nënës mbi të. Ajo tha se e kishte vendosur trupin “mbi frizat e placentave”, një praktikë që ata kishin ndjekur gjithmonë, dhe kishte hapur dritaren për shkak të kundërmimit, duke njoftuar edhe një kolege.
