Ymeri kritikon qeverinë: Mbi 50 milionë euro të ardhura nga nafta brenda një muaji, ndërsa qytetarët vazhdojnë të paguajnë kosto të larta

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka kritikuar ashpër qeverinë për mosndërmarrjen e masave të nevojshme për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve përballë çmimeve të larta të karburanteve.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Ymeri theksoi se brenda vetëm një muaji, shteti ka grumbulluar mbi 50 milionë euro nga TVSH-ja dhe akciza e naftës. Ajo shtoi se këto të ardhura të konsiderueshme nuk po ndikojnë negativisht në buxhetin e shtetit, duke lënë të kuptohet se nuk ka pengesë financiare për uljen e barrës mbi qytetarët.

Duke cituar shprehjen “Ajo që nuk po na thuhet direkt: Nuk preket arka e shtetit. Xhepi i qytetarit duhet të durojë”, deputetja kërkoi nga ekzekutivi që të marrë urgjentisht masa konkrete për të lehtësuar vështirësitë financiare të qytetarëve.