Pa një marrëveshje politike ka përfunduar takimi i mbrëmshëm mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.

E, qytetarët kanë dhënë mendime të ndryshme për mundësinë e arritjes së një marrëveshje mes këtyre dy partive.

Izet Zhulian tha se, edhe pse ka pasur mundësi për marrëveshje, apetitet e të dyja palëve janë maksimale.

“Po, sipas deklarimit të Kurtit dhe të Abdixhikut, jo të fundit, po të parafundit, ata dëshirojnë të bëjnë marrëveshje, mirëpo duket që apetitet e të dyve janë maksimaliste. Edhe VV dëshiron me i marrë numrat e posteve sipas përqindjes që ka fituar, 48 për qind. Abdixhiku dëshiron me shfrytëzu rastin që VV s’ka me kënd tjetër me bashkëpunu, edhe nuk do veç me Lidhjen Demokratike edhe e qon pazarin aq sa nuk është real. Ai dëshiron me i marrë më shumë në një histori që ka fuqinë e pikave që i ka fituar me votë. Ata bisedën e parë e të dytë e kanë zhvilluar qashtu, duke u shty njëri me tjetrin”, tha ai.

Ai, thotë se politikanët duhet t’i kalojnë ambiciet e tyre personale dhe të mendojnë për popullin.

“Mirëpo unë besoj se duhet ata me i kaluar ato ambiciet e tyre personale edhe me kshyr realitetin. Duhet me ditë secili forcën sa e ka edhe me u kombinu. Unë kisha dasht sikur edhe Vjosa Osmani të jetë presidente në këtë rast, sepse e dimë lidhjen e saj me Amerikën, me presidentin e Amerikës, kështu që Lidhjes Demokratike, Vjosa Osmani dhe Abdixhiku me partnerët e vet të Lidhjes Demokratike, kishin mujt me i marrë dikun nja katër-pesë ministri edhe do të ishte për mu gjëja më e mirë që do të mund t’i ndodhte Kosovës, dhe ajo është e vetmja alternativë që po më doket që edhe populli po e dëshiron. Prandaj ata dy duhet të mendojnë për popullin e jo për partitë e veta”, tha ai, për Ekonomia Online.

Kurse, qytetari Varruk Halimi u shpreh se beson se marrëveshja do të arrihet dhe se LDK-ja e Vetëvendosja janë parti që mund të bëjnë diçka për vendin.

“Ka pasë vyjt më herët me u arritë një marrëveshje, ama mendoj që do të bëhet. Do të bëhet se edhe Vetëvendosja edhe LDK-ja janë partitë që munden me bë diçka për këtë vend. Po mendoj edhe partitë e tjera me marrë pjesë, po edhe këto dy partitë janë kryesore, tash për tash. Po, mendoj se shpejti. Partitë e tjera po presim me u bashkuar me këto dyja. Gjithëqysh kjo është për Kosovën. Boll kena pritë, boll kena mundim, shumë, shumë ka kalu kohë. Kjo është dashur edhe më herët pak me u bë”, tha Halimi.

Ndërsa qytetari Sokol Avdiu tha se marrëveshja është e nevojshme dhe se, sipas tij, ajo do t’i shërbente vendit.

Por, shton se nuk beson se do të arrihet ndonjë marrëveshje mes këtyre dy partive.

“Po aty u bë, mund të shprehem, u bë një pshtjellim i madh para popullit, një tjetër fjalë e kisha përdor. Po as marrëveshja, as kurrgjë. Mjer na ku jemi. Kush po na prin, ata si bëjnë, si s’bëjnë, kurgjo s’ndreqin. Për mua, mendimi im. Se në qoftë se s’bëhen krejt partitë me u bë, nuk mundesh me u bë një marrëveshje. Kështu që me u bë, inshallah Zoti e bëftë hajr. Po pa marrë parasysh, çdo marrëveshje është e mirë për shkak që jena mbet shumë mbrapa, me Evropën, me botën. Veç aty është se gjë më ndreq nuk ndreqin. Marrëveshja është gjithmonë e mirë. Sa do e keqe që është, është e mirë. Megjithëse s’jom unë për atë marrëveshjen. Vallahi hiç s’mendoj. Për qata po thom nuk mendoj, se është një pshtjellim i madh. Kërkush s’e respekton. Ky ka qu kry kryeministri, edhe dej t’bjen dikun. Në këtë fazë e kanë zor, zor shumë. Se si po bëhet, u bënë se s’u bënë, janë fajtorë. S’besoj që s’kanë me shku prapë në zgjedhje”, tha Avdiu.