Njëra prej skiatoreve më të suksesshme në historinë e Zvicrës, Lara Gut-Behrami, ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga sporti profesionist, duke i dhënë fund një karriere të jashtëzakonshme që zgjati gati dy dekada.
35-vjeçarja, e cila është bashkëshortja e ish-futbollistit të Kombëtares së Zvicrës me prejardhje nga Kosova, Valon Behrami, e bëri të ditur vendimin përmes një video-mesazhi, ku shpjegoi se dëshiron ta mbyllë karrierën përpara se sporti t’i lërë pasoja fizike, shkruan Indeksonline
“Isha me fat dhe e privilegjuar që përjetova një karrierë shumë të gjatë dhe intensive. Ndjenja e lirisë absolute në dëborë nuk më ka lënë kurrë dhe do të mbetet gjithmonë me mua”, tha Gut-Behrami.
Ajo theksoi se, pavarësisht rrëzimeve dhe lëndimeve gjatë pothuajse 20 viteve në elitën e skijimit botëror, aktualisht nuk vuan nga dhimbje të vazhdueshme dhe dëshiron që kjo të mbetet kështu.
“Kam qenë me fat që nuk kam dhimbje të përsëritura dhe nuk dua të kem asnjë. E di se ky është momenti i duhur. Nuk dua më ta detyroj trupin tim të përballojë ritme, stres dhe dhimbje vetëm për të vazhduar garimin”, u shpreh ajo.
Sipas saj, skijimi do të mbetet gjithmonë pjesë e jetës, por tashmë larg pistave të garave.
“Të detyroja trupin dhe mendjen time të përballonin dhimbjen do ta njolloste kujtimin e gjithçkaje që kam bërë me kaq shumë pasion. Besoj se çdo gjë në jetë ka momentin e vet, dhe tani e di se nuk është më momenti im për të veshur një numër gare. Mezi pres të shkoj për ski dhe ta shijoj atë ndryshe”, përfundoi kampionia zvicerane./Indeksonline/
