Irani dhe Omani kanë bërë përparim në bisedimet e 5 gushtit për një korridor lundrimi nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke u pajtuar për koordinatat gjeografike të këtij korridori, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei.

Sipas Baqaeit, Teherani dhe Maskati kanë zhvilluar bisedime gjatë muajve të fundit për aspekte të ndryshme të korridorit të propozuar. Ai shtoi se të dyja shtetet pothuajse kanë përfunduar një deklaratë të përbashkët, “me kusht që palë të treta të caktuara të mos e pengojnë procesin”.

Më herët gjatë ditës, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se kjo rrugë kyç ujore do të rihapet “së shpejti”, duke kërcënuar se do ta godasë Iranin “shumë ashpër” nëse Teherani refuzon të negociojë për rihapjen e saj.

“Ata e kuptojnë këtë. Nuk kam zgjidhje tjetër”, shtoi ai.

Në një intervistë për Fox News, Trump tha po ashtu se po zhvillohen “diskutime shumë të mira” me autoritetet iraniane. Megjithatë, agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA, raportoi se, sipas Ministrisë së Jashtme iraniane, ditët e fundit nuk janë zhvilluar bisedime mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Megjithatë, Baqaei tha se çdo marrëveshje ndërmjet Iranit dhe Omanit për një korridor të sigurt lundrimi nëpër Ngushticën e Hormuzit nuk do të garantonte, në vetvete, sigurinë në atë zonë.

Mbyllja e ngushticës që një kohë të gjatë është një nga çështjet qendrore në luftën mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, si dhe një nga pengesat kryesore për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Që në ditët e para të luftës, që nisi në fund të shkurtit, Teherani e kufizoi qasjen në këtë rrugë ujore, duke çrregulluar tregjet globale të naftës dhe duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve.

Në muajt pasues, ai u përpoq gjithashtu të vendoste një tarifë për anijet që kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit, një veprim që SHBA-ja e ka cilësuar si të papranueshëm./REL