Një ngjarje tronditëse ka goditur opinionin publik në Greqi, ku një 41-vjeçar shqiptar është akuzuar për përdhunim të përsëritur dhe abuzim seksual ndaj vajzës 9-vjeçare të partneres së tij.
Dosja hetimore zbulon se 41-vjeçari dyshohet të ketë kryer abuzime seksuale me vajzën e mitur gjatë verës së vitit 2023. Në atë kohë, nëna e saj, e cila ishte shtatzënë, ndodhej në Shqipëri dhe ia kishte besuar vajzën në kujdestari. Hetimet tregojnë se abuzimet dyshohet të kenë vazhduar edhe pas kthimit të nënës, deri në pranverën e vitit 2025.
Prokuroria pretendon se i akuzuari detyronte 9-vjeçaren të flinte në të njëjtin shtrat me të dhe, duke e kërcënuar se do të vriste gjyshen e saj dhe të afërm të tjerë, e detyronte të kryente akte seksuale kundër vullnetit të saj.
Autoritetet greke bëjnë me dije se e mitura nuk i kishte treguar nënës së saj për abuzimet, nga frika e njerkut dhe kërcënimeve që ai i kishte bërë ndaj familjarëve. Rasti u zbulua vetëm pas denoncimeve të kryera nga persona të tretë.
I akuzuari, 41-vjeçari, mohon kategorikisht të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata Penale e Larisës në muajin tetor.
