Haziri: LDK dhe Vetëvendosje po negociojnë për marrëveshje bashkëqeverisëse
**Prishtinë** – Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Lutfi Haziri, u është drejtuar mediave para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Ai konfirmoi se legjislatura e re do të konstituohet sot dhe bëri të ditur se LDK-ja është në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Haziri theksoi rëndësinë që të mos përsëriten dështimet e së kaluarës, duke iu referuar 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit – data që shënuan mungesën e bashkëpunimit, mosarritjen e marrëveshjeve dhe moszbatimin e vullnetit qytetar pas zgjedhjeve.
“Tani jemi në bashkëpunim me partinë e parë dhe jemi duke biseduar për të ndërtuar një marrëveshje funksionale, në interes të agjendës së Republikës,” deklaroi ai. Haziri shtoi se diskutimet janë ende në nivelin e parimeve për një bashkëpunim që synon të jetë i qëndrueshëm dhe t’i sigurojë vendit stabilitet.
“Sot do të konstituohet Kuvendi sipas rezultatit zgjedhor,” përfundoi Haziri.
