Shoqatat kryesore të transportit detar u kanë bërë thirrje Kombeve të Bashkuara të kundërshtojnë vendosjen e taksave dhe tarifave të shërbimit për anijet që kalojnë tranzit në Ngushticën e Hormuzit. Kjo kërkesë vjen ndërkohë që Irani dhe Omani janë pranë finalizimit të një marrëveshjeje për udhëkalimin detar jetik, e cila mund të rrisë ndjeshëm kostot dhe të kërcënojë lundrimin e lirë.
Të hënën, tetë grupe detare nënshkruan një letër të përbashkët, drejtuar OKB-së dhe Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), duke paralajmëruar se vendosja e këtyre taksave mund të çojë në rritje kostosh për konsumatorët dhe të dëmtojë parimet e lundrimit të lirë.
“Krijimi i një precedenti të tillë do ta bënte gjithnjë e më të vështirë rezistencën ndaj masave të ngjashme në vende të tjera, duke krijuar pasiguri për transportin detar ndërkombëtar dhe tregtinë botërore,” theksohej në letër.
Sipas shkresës, këto pasoja “shtrihen përtej kostove të transportit detar, duke kontribuar në çmime më të larta të energjisë, inflacion në rritje dhe paqëndrueshmëri ekonomike. Në fund të fundit, këto ndikime do të kenë një kosto njerëzore, duke ndikuar në jetesën e njerëzve në mbarë botën.”
Nga ana tjetër, Irani njoftoi të hënën, sipas mediave shtetërore, se synon të mbledhë “tarifa” për disa shërbime detare që do të ofrohen përgjatë Omanit në Ngushticën e Hormuzit, sapo rruga ujore të bëhet funksionale sipas marrëveshjes.
Kjo do të shënonte një ndryshim thelbësor nga praktika e deritanishme, ku asnjë shtet nuk kontrollonte në mënyrë të drejtpërdrejtë transportin detar përmes kësaj rruge strategjike. Për Teheranin, kontrolli ose mbikëqyrja mbi këtë ngushticë është bërë po aq një çështje thelbësore sa edhe e drejta për pasurim bërthamor.
Perspektiva e një ndikimi të tillë është e papranueshme për Uashingtonin, Abu Dhabin dhe Riadin. Senatori amerikan Marco Rubio ka deklaruar vazhdimisht se çdo formë e kontrollit shtetëror mbi ujërat ndërkombëtare shkon kundër së drejtës ndërkombëtare.
Më herët, Irani kishte rënë dakord të mos vendoste tarifa ose taksa kalimi në ngushticë për 60 ditë, në bazë të një Memorandumi Mirëkuptimi. Megjithatë, kjo marrëveshje dështoi pasi Teherani dhe Uashingtoni nuk arritën të bien dakord plotësisht mbi një marrëveshje me 14 pika.
