Rasti që ka shkuar në Gjykatën Federale ka të bëjë me një grua kosovare e cila qëndroi në vendlindjen e saj, në Kosovë, nga 27 maji 2023 deri më 28 gusht 2023.

Ata që kërkojnë përfitime plotësuese (“Ergänzungsleistungen”, në rastet kur pensioni nuk është i mjaftueshëm për jetesë, v.j.) nuk mund të qëndrojnë jashtë vendit për më shumë se 90 ditë rresht. Gjykata Supreme Federale ka mbështetur këtë rregullore dhe ka miratuar një ankesë nga Zyra e Sigurimeve Shoqërore e Kantonit St. Gallen, transmeton albinfo.ch.

Në një vendim të publikuar të hënën, Gjykata Supreme Federale rrëzoi një vendim nga Gjykata e Sigurimeve të Kantonit St. Gallen. Gjykata kantonale e kishte konsideruar të paligjshëm kufizimin në 90-ditë të qëndrimit maksimal të lejuar tremujor jashtë vendit në urdhëresë.

Rasti specifik kishte të bënte me një grua kosovare e cila qëndroi në vendin e saj të lindjes, në Kosovë, nga 27 maji 2023 deri më 28 gusht 2023, shkruan sda.ch.

Pa përfshirë ditët e hyrjes dhe daljes, ajo ishte jashtë vendit për 92 ditë. Zyra e Sigurimeve Shoqërore e Kantonit të St. Gallen (SVA) e refuzoi kërkesën e saj për përfitime plotësuese.

Ligji përcakton që vetëm ata persona që janë banorë të zakonshëm në Zvicër kanë të drejtë për përfitime plotësuese. Shtetasit e huaj duhet gjithashtu të kenë banuar vazhdimisht në Zvicër për dhjetë vjet menjëherë para se të kërkojnë përfitime plotësuese.

Brenda kësaj periudhe pritjeje, lejohen qëndrime jashtë vendit për një maksimum prej 90 ditësh radhazi ose një maksimum prej 90 ditësh në total gjatë një viti kalendarik, përcjell albinfo.ch. Nëse dikush largohet nga Zvicra për një periudhë më të gjatë, periudha e pritjes rifillon.

Standard i barabartë për të gjithë

Gjykata Supreme Federale arriti në përfundimin se Këshilli Federal kishte autoritetin për të vendosur periudhën e pritjes në 90 ditë në vend të tre muajve. Ky rregullim krijon siguri ligjore dhe siguron trajtim të barabartë për të gjithë personat, pavarësisht nga muaji në të cilin udhëtojnë.

Tre muaj që përfshijnë Vitin e Ri mund të arrijnë në 92 ditë. Megjithatë, nëse dikush udhëton gjatë shkurtit, marsit dhe prillit, kjo do të arrinte vetëm në 89 ditë.

Çështja tani kthehet në Gjykatën e Sigurimeve të Kantonit të St. Gallen, transmeton albinfo.ch. Kjo gjykatë duhet të përcaktojë ende nëse kishte një arsye të vlefshme për qëndrimin e zgjatur të gruas jashtë vendit, pasi në raste të caktuara të jashtëzakonshme, periudhat më të gjata kohore të kaluara jashtë Zvicrës nuk e ndërpresin periudhën e pritjes.