Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” i ka kërkuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, të ndërhyjë diplomatikisht për t’i dhënë fund atij që ajo e cilëson si një “proces të motivuar politikisht” ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Kryetari i Vatrës, Dr. Elmi Berisha, në letrën drejtuar Trumpit, thekson se gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së rrezikon të rishkruajë historinë e luftës çlirimtare të Kosovës dhe të dëmtojë marrëdhëniet me një aleat të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në Ballkan.

Ai argumenton se lufta në Kosovë nuk ishte një konflikt mes palëve të barabarta, por një fushatë sistematike spastrimi etnik e orkestruar nga regjimi i Slobodan Millosheviqit kundër popullsisë shqiptare. UÇK-ja, sipas tij, u formua si një forcë mbrojtëse për të parandaluar shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës.

Letra përmend shifra tronditëse të viktimave: mbi 15 mijë civilë shqiptarë të vrarë, rreth 25 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës dhe mbi një milion të zhvendosur. Berisha thekson se kriminalizimi i drejtuesve të UÇK-së cenon kujtesën e viktimave dhe dëmton drejtësinë historike.

Berisha rikujton gjithashtu lidhjen e ngushtë midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar Kosovën si vendin më pro-amerikan në botë. Sipas tij, procesi në Hagë dobëson këtë partneritet strategjik dhe përcjell mesazhin se aleatët e SHBA-së mund të lihen në mëshirën e tribunaleve ndërkombëtare, të cilat, në optikën e tij, nuk pasqyrojnë vlerat amerikane të drejtësisë dhe sovranitetit.

Në letër vlerësohet edhe roli i Presidentit Trump në Ballkan, sidomos Marrëveshja e Uashingtonit e vitit 2020 dhe njohja e Kosovës nga Izraeli. Berisha pretendon se Serbia dhe Rusia po shfrytëzojnë procesin në Hagë për propagandë kundër shtetësisë së Kosovës dhe ndikimit amerikan në rajon.

Duke iu referuar afërsisë së vendimit përfundimtar të Dhomave të Specializuara, Berisha i kërkon Presidentit Trump të përdorë ndikimin diplomatik të SHBA-së për të rishikuar mandatin e kësaj gjykate. Kjo, sipas tij, do t’i jepte fund tejkalimit të kompetencave të saj dhe do të mbështeste lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në përfundim të letrës, kreu i Vatrës thekson se mbrojtja e atdheut nga gjenocidi nuk duhet konsideruar kurrë krim. Ai falënderon Presidentin Trump për mbështetjen e vazhdueshme ndaj popullit të Kosovës.