Inteligjenca spanjolle në alarm: Fluksi i emigrantëve në Ceuta mund të përsëritet në mes të gushtit

Shërbimet e inteligjencës spanjolle e konsiderojnë “plotësisht të besueshme” fushatën e përhapur në rrjetet sociale, e cila nxit një hyrje të re masive emigrantësh në Ceuta më 15 gusht. Kështu raporton radio Cadena Ser, duke cituar burime të shërbimeve sekrete. Këto burime nuk e përjashtojnë mundësinë që organizatorët ta avancojnë datën për të shfrytëzuar efektin e befasisë, pas publicitetit të gjerë që ka marrë kjo thirrje në internet.

Qendra Kombëtare e Inteligjencës e Spanjës (CNI) prej disa ditësh po monitoron grupe në Facebook, WhatsApp dhe profile në TikTok, ku qarkullojnë mesazhe dhe informacione të rreme mbi pikat e dobëta të supozuara në kontrollet kufitare.

Burime nga Ministria e Brendshme e Spanjës kanë bërë të ditur se disponojnë të gjitha burimet e nevojshme për t’u përballur me çdo tentativë për hyrje të parregullta. Kjo thirrje për një fluks masiv drejt Ceutës vjen pas një incidenti të ngjashëm një javë më parë, kur rreth 72 mijë persona hynë në enklavën spanjolle në Marok, raporton Corriere.

Ndërkohë, sipas mediave spanjolle, është forcuar bashkëpunimi dhe shkëmbimi i shpejtë i informacioneve për alarmet mes shërbimeve evropiane të inteligjencës. Në Ceuta vazhdon të jetë në fuqi dislokimi i 4 mijë efektivëve të policisë, Guardia Civil dhe ushtrisë, të mobilizuar një javë më parë për t’u përballur me krizën e emigrantëve. Sipas burimeve, nëse do të jetë e nevojshme, ky kontingjent do të përforcohet më tej. Forcat e sigurisë mbështeten gjithashtu në bashkëpunimin e Marokut për të parandaluar që në fillesë çdo nisje masive, përmes kontrolleve dhe bllokadave rrugore në zonën e Fnideq-ut, qyteti maroken i njohur më parë si Castillejos, në kufi me Ceutën.

Edhe në Bruksel, niveli i alarmit për një fluks të ri në Ceuta “mbetet i lartë”. Një zëdhënës i Komisionit Evropian, gjatë konferencës së përditshme për shtyp, deklaroi se “vëmendja mbetet vërtet shumë e lartë, para, gjatë dhe pas 15 gushtit, sepse kjo është data e përmendur në rrjetet sociale si dita kur mund të ketë përpjekje për të kaluar kufirin”. Zyrtari sqaroi gjithashtu se “po monitorojmë mjedisin informativ. Po përpiqemi të koordinohemi me platformat, duke shfrytëzuar instrumentet e ndryshme që kemi në dispozicion për të menaxhuar qarkullimin e informacionit dhe për të luftuar dezinformimin”.