Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar lidhur me vizitën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd dhe takimin e tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Bosch, përmes një postimi, e ka kritikuar Zelenskyn për takimin me Vuçiqin, duke e cilësuar presidentin serb si një “mik jodemokratik” të tij, shkruan IndeksOnline.
“Zelensky në Beograd me mikun e tij jodemokratik, Vuçiqin. A duket se dëshiron të mësojë se si të eliminojë kundërshtarët politikë lokalë?”, ka shkruar Bosch.
Bosch rikujtoi se Vuçiq e ka falënderuar Zelenskyn për qëndrimin e Ukrainës lidhur me njohjen e Kosovës.
Bosch ka bërë thirrje që njohja e Kosovës nga Serbia të vendoset si kusht për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
“Shpresoj që BE-ja, njësoj si me vetë Serbinë, ta bëjë këtë njohje kusht për anëtarësimin”, ka shkruar ai.
Ish-ambasadori holandez ka komentuar edhe raportimet për diskutimet mes Serbisë dhe Ukrainës për prodhimin e përbashkët të dronëve.
Sipas Bosch, këto zhvillime janë shqetësuese për Kosovën dhe rajonin.
“Ukraina po fillon të bëhet një kërcënim, veçanërisht për Kosovën, por edhe për Ballkanin më gjerë. Është koha që EEAS t’i kërkojë Zelenskyt se çfarë po bën!”, ka përfunduar ai.
