Vrasje Tragjike në Korçë: Humb jetën efektivi i Forcave të Armatosura, Joan Zuko

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në Korçë, ku ka humbur jetën efektivi i Forcave të Armatosura, Joan Zuko, 20 vjeç. Vrasja me armë zjarri erdhi pas një konflikti ndërmjet disa personave. Policia e Korçës ka shoqëruar tre persona të dyshuar si të përfshirë në konflikt, ndërsa autori kryesor i krimit është shpallur në kërkim dhe ndodhet në arrati.

Sipas burimeve mediatike, viktima, i cili shërbente në Forcat e Armatosura Shqiptare, u ekzekutua me armë zjarri nga autori pas një konflikti të vjetër apo të mbartur mes tyre.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe nisën veprimet hetimore e operacionale.

Policia ka identifikuar autorin e dyshuar, i cili u largua menjëherë pas krimit. Shërbimet policore janë vënë në ndjekje të tij, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Ndërkohë, tre shtetas janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale, pasi dyshohet se kanë qenë të përfshirë në dinamikën e konfliktit që çoi në vrasjen e 20-vjeçarit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.