Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë shënuar “njëfarë përparimi” në bisedimet me Iranin, ka deklaruar zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, në një intervistë për Fox News.
Sipas Vance, pala iraniane ka shprehur interesim për përfundimin e situatës aktuale, por mbetet ende e paqartë nëse Teherani është i gatshëm të përmbushë kërkesat që Uashingtoni i konsideron të domosdoshme.
“Ata duan që kjo gjë të marrë fund. Pyetja është nëse janë në gjendje të japin gjërat që janë të nevojshme që ne të ndihemi sikur kemi marrë atë që na nevojitet nga ky angazhim”, deklaroi Vance.
Ai shtoi se gjatë ditëve të fundit është arritur njëfarë progresi në komunikimin mes dy palëve.
Një nga çështjet kryesore të diskutimeve, sipas zëvendëspresidentit amerikan, është garantimi i qarkullimit të naftës dhe gazit përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme për transportin global të energjisë.
Vance tha se Uashingtoni po komunikon me Teheranin për të siguruar që përmes kësaj rruge të vazhdojë qarkullimi sa më i madh i naftës dhe gazit.
“Po flasim me iranianët. Sigurisht, po përpiqemi të maksimizojmë sasinë e naftës dhe gazit që po del nga Ngushtica e Hormuzit. Kjo është gjëja në të cilën jemi më të përqendruar tani”, tha ai.
Zëvendëspresidenti amerikan bëri të ditur se SHBA-ja po vlerëson gjithashtu nëse Irani është i gatshëm të ndërmarrë ndryshime afatgjata që mund të krijojnë kushte për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Sipas tij, gjatë javës së fundit Irani dhe vendet e Gjirit, veçanërisht Omani, kanë zhvilluar diskutime për garantimin e lundrimit të sigurt në Ngushticën e Hormuzit.
Vance theksoi nevojën për krijimin e një mekanizmi të sigurt të trafikut detar për anijet që kalojnë nëpër këtë zonë, duke iu referuar gjithashtu shqetësimeve lidhur me mundësinë e vendosjes së minave detare në ngushticë.
